Emanuela Pepkola: Përfaqësimi i kauzës së drejtë garanton suksesin në një fushatë

Administratorja e Fondacionit Down Syndrome Albania, Emanuela Pepkola, ishte e ftuar në një leksion të hapur me studentët e programit Master në Shkenca Komunikimi, ku bashkëbisedimi me ta u përqendrua kryesisht në menaxhimin e një fushate marketingu.
 
Znj. Pepkola ndau me studentët eksperiencën e saj në ngritjen e fondacionit që ajo aktualisht drejton, duke filluar që nga proceset e brainstorming, peripecitë në përdorimin e networkut, organizimin e eventeve, komunikimin dhe suportimin nga media si dhe elementët e tjerë përbërës në shërbim të nismës së saj e deri tek suksesi i arritur.
 
Pyetjes se a do të kishte të njëjtin rezulatat nëse nisma e saj do të përfaqësonte një tjetër kauzë Emanuela iu përgjigj se vështirësitë do të ishin më të shumta. Pasi, çështje të tilla si fëmijët me sindromën down janë çështje që ngjallin emocion dhe reagim tek publiku, i çfarëdolloji qoftë ai. Dhe ishte pikërisht natyra e kësaj ajo çfarë garantoi suksesin në krijimin e fondacionit Down Syndrome Albania dhe duhet theksuar se gjithçka në këtë fushatë është arritur vetëm me kontribuimin dhe vullnetarizmin e individëve dhe subjekteve të ndryshme.
 
Një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij takimi ishin diskutimet dhe sugjerimet që Emanuela u dha studentëve të komunikimit në fushatën që ata aktualisht kanë ndërmarrë, e cila konsiton në pasurimin e bibliotekës së Bedër me 5000 tituj librash. 
 
Bashkebisedimi vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga studentët të cilët interesin e shfaqën në procese të ndryshme që përfshijnë fushatat e marketingut në Shqipëri dhe më gjerë.