Fisnik Ismaili: 2000 euro ulën 20 % importet serbe

Vetëm 2000 euro mjaftuan për të ulur me mbi 20 përqind importimin e mallrave serbe në Kosovë. Kështu u shpreh para studentëve të Departamentit të Shkencave të Komunikimit Fisnik Ismaili, drejtor i kompanisë së marketingut ‘’Karrota’’ dhe deputet i Republikës së Kosovës, teksa shpjegoi metodat bashkëkohore të marketingut. 
 
I ftuar në kuadër të ciklit të seminareve MarCom, z.Ismaili prezantoi eksperiencat e tij duke nisur nga puna e parë, një poster për Apple e më pas shtoi se në fushën e marketingut ti vlen aq sa vlen projekti yt i fundit, por në të vërtetë ai është gjithmonë në kërkesë për punë më të mëdha që të afirmohet si drejtor kreativ në këtë fushë.
 
Një pjesë e rëndësishme e këtij prezantimi ishin edhe punë, të cilat ai i cilësoi si projekte me një lidhje emocionale të veçantë. Ndër punët e përmendura ishte posteri ‘’Nato just do it’’. Ky poster u realizua një vit përpara ndërhyrjes se Natos në Kosovë dhe u shpërnda mediatikisht duke shërbyer si një lobim për të çliruar Kosovën. Një tjetër projekt të cilin z.Ismaili e paraqiti me shumë dëshirë ishte ‘’Newborn’’ ku shpjegoi se u realizua në anglisht në mënyrë që të shpërndahej dhe të kuptohej edhe në skenën ndërkombëtare. 
 
Ai shpjegoi edhe përpjekjet për të fituar zgjedhjet lokale në Kosovë nën  dritën e marketingut, duke u mundësuar studentëve një njohje praktike të temës në fjalë. 
 
Fisnik Ismaili ka fituar shtatë çmime ndërkombëtare ku përfshihen ‘’Cannes Lion’’, ‘’Golder Drum’’, Eurobest etj.
Të jetosh marketingun sipas Fisnik Ismailit do të thotë ta dashurosh këtë profesion ku forca shtytëse është ndikimi që kjo punë ka në publikun e gjerë.