Departamenti i Shkencave të Komunikimit, pranë Kolegjit Universitar “Bedër”, në kuadër e serisë së seminareve MarCom, organizoi sot në ambientet e Muzeut të Medias seminarin me temë: “Komunikimi në Biznes”. E ftuar për të folur rreth kësaj teme ishte znj. Rafaela Rica, themeluese dhe CEO e agjencisë “Iceberg Communication”.
Ajo diskutoi me studentët e Shkencave të Komunikimit mbi rëndësinë, rrisqet dhe më së shumti komunikimin në sipërmarrje, solli shembuj të shumtë nga eksperiecat e saj personale dhe profesionale, duke cilësuar si element shumë të rëndësishëm iniciativën, guximin dhe këmbënguljen, të cilat nuk duhet t’iu mungojnë të rinjve.
Më tej znj. Rica foli për të gjitha etapat ku duhet të kalojë një Start-Up, sa dhe si mund të realizohet një ide biznesi, dhe nga ana tjetër se si ideja të dështojë. “Duke qenë se jetojmë në një epokë të mbizotëruar teknologjike, edhe ideja duhet të lidhet me teknologjinë. Kështu teknologjia duhet të vihet në funksion të idesë sonë të biznesit”, tha ajo.
Në vijim, ajo sqaroi të gjithë procesin e komunikimit të sipërmarrjes, duke iu shpjeguar studentëve hapat që duhet të ndiqen deri tek dalja në treg. Veç imagjinatës dhe kreativitetit, rëndësi të madhe sipas saj duhet t’i kushtohet testimit të idesë. “Ideja duhet të testohet, duhet parë sesi reagon audienca. Njëkohësisht duhet të kemi bindjen që ideja jonë funksionon”, tha znj. Rica.
Trajtimi i temës kaloi edhe në mundësinë që ofrojnë mediat e reja duke u parë si një hapësirë shumë e vlefshme. “Fushatat marketing, sot, mund të bëhen në mediat e reja duke i shmangur ato tradicionale. Kështu marketingu bëhet edhe me pak para. Ne duhet t’i shohim mediat online si një vend shumë lehtë të përdorshëm”, theksoi ajo
Më tej, znj. Rica tregoi që çdokush në fillimet e sipërmarrjes ka dyshimet e veta, saqë shpesh njeriu mendon edhe të heq dorë.
Në fund ajo tha se në biznes menaxhimi i suksesit sa vjen e vështirësohet, ndërsa humbja të jep mësime, por qëllimi duhet të jetë ruajtja e integritetit personal.
Gjatë takimit studentët patën mundësinë të bënin pyetje dhe diskutime për çështje të cilat ata ishin të interesuar, në shumë aspekte të rëndësishme jo vetëm të komunikimit dhe marketingut, por edhe të mundësive të përfshirjes së tyre në fushën e sipërmarrjes.
Duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Kolegjit Universitar Beder dhe Iceberg Comunication, znj. Rica përsëriti ftesën për studentët për tu angazhuar në projekte të ndryshme dhe mundësi praktikash profesionale pranë agjensisë.