Futja ose jo e lëndëve që kanë të bëjnë me kulturën fetare në shkollat shqiptare shkaktoi një debat të madh në opinionin publik duke e ndarë atë në mbështetës të kësaj nisme dhe kundërshtar. Duke përfituar nga ky fakt, por edhe me qëllim aftësimin profesional të studentëve në drejtim të gjetjes dhe mbrojtjes së argumenteve për tematika të caktuara, Klubi i Debatit në Universitetin “Hëna e Plotë-BEDËR” zhvilloi debatin me temë: “Kultura fetare në shkolla, pro dhe kundër”.
Ky ishte debati i dytë i zhvilluar në kuadër të aktivitetit semestral të “Klubit të Debatit”. Grupi i përbërë nga studentët Fatjon Poçi, Luljeta Halimi dhe Mbaresa Visha debatoi me grupin e studentëve të përbërë nga Greta Beqiri, Elsa Capo dhe Donisa Perseku ku njëri grup mbronte futjen e kësaj kulture në shkollat shqiptare dhe tjetri mbronte tezën e kundërt.
Pozicionimi i studentëve “Pro” dhe “Kundër” një çështjeje të caktuar bëhet me short dhe qëndrimi i tyre gjatë debatit nuk përfaqëson domosdoshmërisht bindjet personale të tyre. Kjo është bërë me qëllim nxitjen e studentëve që të kërkojnë dhe të stimulojnë aftësitë për të gjetur argumente të forta.