Sot më 11 janar 2023, në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër, studentët e Masterit Shkencor dhe Profesional të Departamentit të Shkencave të Komunikimit kanë lançuar fushatën studentore nën sloganin “Aty për ju“, dedikuar grave kryefamiljare të cilat janë në kushte të vështira ekonomike dhe të papuna.
Gjatë analizës së situatës, është identifikuar se gratë kryefamiljare kanë problematika dhe nevoja të ndryshme. Studentët deri më tani kanë arritur të identifikojnë familjet e para të cilat do t’i vijnë në ndihmë duke i siguruar punë grave kryefamiljare apo dhe kurse profesionale, ndërsa për fëmijët e këtyre familjeve është planifikuar të mundësohen kurse profesionale, kurse gjuhe, trajnime apo dhe punë për individët mbi 18-vjeç.
Një mbështetje të madhe fushata “Aty për ju” po e merr nga Ambasadorët e shumtë që i janë bashkuar kësaj nisme, midis së cilëve gjenden emrat më të spikatur që vijnë nga fushat e sipërmarrjes, gazetarisë, aktivistë, profesionistë të njohur, midis të cilëve gjenden emrat më të spikatur ku mund të përmendim juristen Edlira Çepani, sipërmarrësen Valbona Begolli, gazetaren Odeta Dume, aktivisten Ina Kollçaku, blogeren Suela Mehmeti, përgjegjësen e Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Fatma Karaj e shumë të tjerë.
Me fokus nevojat e këtyre grave kryefamiljare, ambasadorët e fushatës u shprehën të hapur për të krijuar hapësira punësimi dhe dritare të reja integrimi për nënat pa mbështetje financiare si dhe për të mundësuar ura bashkëpunimi me studentët nismëtarë të kësaj fushate.
Studentët deri më tani kanë arritur të identifikojnë familjet e para të cilave do tu vijnë në ndihmë, duke u siguruar punë grave kryefamiljare apo dhe kurse profesionale, ndërsa për fëmijët e këtyre familjeve është planifikuar tu mundësohet shkollimi trajnimi, edhe punësimi sipas nevojave.
Arritja më e madhe do të ishte lidhja e kontratave të punës, sigurimi i kurseve profesionale apo dhe marrëveshje me organizata e biznese për t’i mbështetur edhe në forma të tjera gratë kryefamiljare dhe fëmijët e tyre