

Studentët e programit Master në Departamentin e Shkencave të Komunikimit zhvilluan ditën e djeshme leksionin e hapur me temë “Marrëdhëniet Publike në epokën e mediave sociale”. Leksioni u mbajt nga profesoresha amerikane Madeleine Luchsinger.
E diplomuar në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit në Middle Tennessee State University, Madeleine aktualisht është eksperte PR në agjencinë e marketingut Cision, ku kryesisht merret me etapën e vlerësimit të një fushate PR. Detyrat specifike të saj përfshijnë vlerësimin e fushatës së PR të klientëve me të cilët ajo bashkëpunon si dhe realizimin e një raporti final që u shërben atyre për suksesin e fushatës së ardhshme.
“Për të patur një fushatë të suksesshme PR, nuk nevojitet thjesht një grup pune i rrjeteve sociale apo marrëdhënieve publike. Përkundrazi, është e domosdoshme që të dyja këto të bëhen bashkë për të marrë rezultatin e dëshiruar”- u shpreh profesoresha Madeleine. Gjatë leksionit, e iniciuar edhe nga pyetjet e të pranishmëve, znj. Luchsinger bëri dallimin mes influencuerave dhe VIP-ave, duke renditur qartë arsyet pse njëra prevalon mbi tjetrën dhe është një aset për fushatat e kompanive të ndryshme.
Leksioni u shoqërua me komente, pyetje dhe ndarje eksperiencash mes studentëve dhe znj. Luchsinger, që e bënë takimin mjaft dinamik e interaktiv.