Leximet nën Hënën e Plotë nisin me Luljeta Lleshanakun

Të qenurit mbesë e Abaz Kupit ka qenë një shtysë për krijimtarinë time. Kështu u shpreh poetja e mirënjohur shqiptare Luljeta Lleshanaku, e ftuar në ciklin e programeve “Lexime nën Hënën e Plotë”, të organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit. 
 
Znj. Lleshanaku tha se prejardhja e saj si nga nëna ashtu edhe nga babai, të qenurit mbesë e Abaz Kupit dhe Alush Lleshanakut, dy emrave të njohur e të persekutuar gjatë regjimit monist, ka qenë një burim frymëzimi për krijimtarinë e saj. “Asnjëherë nuk i pyeta mësuesit e mi se cilat ishin arsyet që ata përdornin për të fyer vazhdimisht familjarët e mi”, tha Lleshanaku.
 
Mbrëmja poetike u shoqërua me analizë të poezisë së Znj.Lleshanaku, si edhe me interpretime prej saj, shkrimtarit të njohur Agron Tufa dhe prej studentëve të Departamentit të Shkencave të Komunikimit. 
 
Znj. Lleshanaku ishte e para që çeli serinë e leximeve autoriale me poetë, prozatorë, përkthyes dhe personalitete të kultures shqiptare ne SHL Hëna e Plotë Bedër. Ky cikël programesh moderohet nga shkrimtari i njohur, njëkohësisht pedagog i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Prof.Agron Tufa.