Llazar Semini: Paanshmëria dhe korrektësia, dy parimet bazë të medias ndërkombëtare

Llazar Semini, korrespondent i Associated Press në Shqipëri, i ftuar në ciklin “Studenti dhe Profesioni” mbajti në leksion të hapur me temë: “Aktualiteti shqiptar në mediat botërore”.
 
Z. Semini shpjegoi fillimisht historikun e formimit të agjencive të lajmeve si edhe zhvillimin e tyre ndër vite. Ai u ndal tek rëndësia e përhapjes së lajmit sidomos me ndihmën e zhvillimeve teknologjike.
 
‘’Paanshmëria dhe korrektësia janë dy parimet bazë të mediave ndërkombëtare. Në këto forma lajmesh vështirë se mund të gjenden opinione dhe gjykime personale pasi lajmi kërkon atribuim, një e veçantë kjo e medias ndërkombëtare ndërkohë që në median shqiptare shpesh herë mungon’’- shtoi ai. 
 
Z. Semini shpjegoi më konkretisht edhe disa raste të punës së tij, përfshirë një analizë të situatës së pas ndeshjes Shqipëri –Serbi dhe tragjedisë së tragetit greko-italian, duke u mundësuar studentëve një shpjegim praktik. 
 
Në lidhje me Shqipërinë në median ndërkombëtare z.Semini shtoi se çdo ngjarje e mirë ose keqe është lajm por gjithçka varet nga mënyra e përgatitjes dhe qasja ndaj infomacionit ndërkombëtar.