Lutfi Dervishi: Gazetaria, profesioni më i mirë në botë

 
Gazetari dhe analisti i njohur Lutfi Dervishi ishte personazhi i parë i ftuar në ciklin e leksioneve të hapura “Studenti dhe Profesioni”, organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër). Drejtori i informacionit në televizionin “Vizion +” diskutoi me studentët e komunikimit rreth temës: “Pse gazetaria është profesioni më i mirë në botë?"
Para tyre ai përmendi faktin se pjesa më e madhe e audiencës përqendrohet tek rrjetet më të mëdha televizive, siç janë: BBC, CNN, DW, Al Jazeera etj., apo edhe në faqet kryesore të internetit, pasi i besojnë informacionit të dhënë prej tyre, duke e krahasuar këtë edhe me profesionet e tjera. “Askush nuk do të shkonte tek një dentist jo i mirë kur i dhemb dhëmbi. Edhe këtu në media është e njëjta situatë. Audienca fokusohet tek mediat ku ka krijuar besim”. 
 
Interesimit të studentëve për tregun e punës në Shqipëri dhe rajon, z. Lutfi Dervishi iu përgjigj se tregu kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë. “Tregu është i uritur për profesionistë. E rëndësishme është përmbajtja. Thelbi është tek përmbajtja dhe jo tek forma. Ajo që ne kërkojmë është cilësia. Kërkojmë njerëz që t’i kuptojnë, shpjegojnë dhe përcjellin zhvillimet”, tha z. Dervishi, duke shtuar se gazetarët duhet të jenë të aftë edhe në përdorimin e teknologjive të reja.
Gjatë bashkëbisedimit të mëtejshëm ai theksoi se misioni bazë i gazetarëve është i njëjtë: Qeni roje! “’Qeni roje’ që do të ruajë pushtetin. Këtë do ta realizojë duke u bërë gjithnjë e më i aftë. Duke parë ku ke pasionin dhe duke e zhvilluar atë gjithnjë e më tepër. Gazetaria është më shumë pasion se sa profesion. Sytë e tu nuk janë si të kalimtarëve. Në atë që shikon nis të kërkosh diçka ndryshe”, iu drejtuar z. Lutfi Dervishi studentëve të komunikimit.
 
Ky ishte leksioni i parë i hapur organizuar  për këtë vit të ri akademik nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër). Cikli i leksioneve “Studenti dhe Profesioni” do të vazhdojë përgjatë gjithë kësaj jave dhe në javët në vazhdim, me të ftuar gazetarë dhe drejtues të mediave në vend.