Nisma studentore "Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore" organizoi ecjen simbolike, të emërtuar "Fishta të ketë shtëpinë e vet, përjetë" në bulevardin kryesor të Tiranës duke kërkuar ndërtimin e një shtëpie muze për Gjergj Fishtën. Aktiviteti bashkoi disa dhjetra persona të moshave të ndryshme në një ecje simbolike me maska me portretin e Fishtës dhe pankarta me tituj e thënie nga vepra e shkrimtarit të madh.
Përmes një gjetjeje të tillë artistike organizatorët synuan të japin mesazhin: “Fishta nuk mund të shpërfillet më; kontributi i tij për kombin shqiptar është kudo dhe meriton të njihet, vlerësohet e trashëgohet ndër breza.”
Ecja ndërgjegjësuese kulmoi me shpalosjen e një çarçafi në sheshin "Nënë Tereza", ku studentët e kësaj nisme vizatuan në mënyrë simbolike skicën e një shtëpie. Më pas të pranishmit nënshkruan mbi këtë skicë në shenjë peticioni për ndërtimin e shtëpisë-muze. Sigurisht nuk munguan fotografitë e shumta nga të pranishmit.
Aktiviteti u ndoq nga media të ndryshme dhe tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, duke çuar kësisoj në vend qëllimin për të ripërtërirë lidhjen me Fishtën.
Nisma "Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore" falenderon të gjithë të pranishmit dhe ata që kontribuan në realizimin e këtij marshimi, restorantin “Mrizi i Zanave”, restorantin “Oazi Fishtë”, Kolegjin Universitar Bedër, Studion grafike “Infinit Reklama” Lezhë dhe gjithë “ambasadorët” e kësaj nisme.