Ministrja Harito; Diskutim mbi rregullimin e mediave online

Znj. Milena Harito, Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike, ishte e pranishme në një leksion të hapur me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, ku bashkëbiseduan rreth kuadrit të ri ligjor për rregullimin e mediave online.
 
Gjatë bashkëbisedimit me studentët Znj. Harito preku disa aspekte të ndryshme të ligjit për mediat online, siç janë ndryshimet që sjell ky ligj në sjelljen dhe veprimet e publikut në mediat dhe portalet në web, identifikimin e çdo shërbimi online, filtrimin automatik të përmbajtjeve të posaçme, njohja e gjuhës shqipe nga google për platformat e veta të reklamave, furnizimi i portaleve shqiptare me të ardhura shtesë etj. Të gjitha këto me synimin për të forcuar më tej të gjitha portalet shqipfolëse pasi siç konstatohet edhe 3 apo 4 vitet e fundit ato janë zhvilluar së tepërmi.
 
“Përsa i përket ligjit për tregtinë elektronike, ne nuk po shpikim diçka të re, kjo është një direktivë europiane e cila ekziston në vendet perëndimore, e njëkohësisht është në evolucion të vazhdueshëm, dhe ne, po i përafrojmë zhvillimet e kësaj direktive edhe në Shqipëri”.- tha Znj. Harito.
 
Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga të pranishmit të cilët u interesuan rreth aspekteve të shumta në lidhje me zhvillimet që do të sjellë ky ligj në termat e informimit online.