Nis trajnimi “Arti i Komunikimit”

Studentët e  Departamentit të Shkencave të Komunikimit nisën ciklin e trajnimit “Arti i Komunikimit” ofruar nga Qendra e Medias dhe Komunikimit në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave të Komunikimit pranë SHL Hëna e Plotë Bedër. Ky cikël përmban 16 orë ku do të trajtohen tema të ndryshme të përgatitura nën kujdesin e lektorit, Pandi Gjata. 
 
Objektivat e këtij trajnimi janë që studentët të ushtrohen në praktikë se si të qëndrojnë para mikrofonit dhe kameras, si të impostohen në situata të caktuara, si të vendosin pikën dhe presjen në fjalitë që lexojnë, ku duhet t’i japin forcë fjalës dhe fjalisë, si të përdorin intonacionin e duhur, etj.
 
Studentët janë ndarë në dy grupe dhe përmes detyrave do të organizohen në mënyrë të tillë që ta ndjejnë veten si në një redaksi radioje apo televizioni. Ato do të ndajnë me njëri tjetrin “rolin” e gazetarit, reporterit në terren, spikerit, drejtuesit të emisionit etj. Në këtë formë studentët do të familjarizohen me terrenin dhe praktikën, ku përveç bagazhit teorik studentët do të të njihen edhe me detaje të rëndësishme të punës së përditshme të një reporteri në radio apo television.
 
Në fund të kësaj lënde synohet që studentët të jenë një hap para kolegëve të tyre të të njëjtit profil kur të përballen me redaksinë e radios apo televizionit.