Studentët organizatorë të nismës "Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore" ishin të ftuar në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës, në ceremoninë e promovimit të librit "Kombi shqiptar dhe poeti kombëtar Gjergj Fishta" të studiuesit Tonin Çobani.
Zv.rektori Lekë Sokoli dhe pedagogët e studentët e UAMD ishin njohur me nismën tonë përmes medias dhe rrjeteve sociale dhe shprehën mbështetjen e tyre për një kauzë të tillë.
Përfaqësuesit e nismës sonë në këtë aktivitet i njohën të pranishmit më në detaje me ecurinë e fushatës dhe rëndësinë e realizimit të shtëpisë-muze kushtuar Gjergj Fishtës.
Fishtologu Tonin Çobani iu përgjigj pozitivisht ftesës sonë për t'u bërë pjesë e aktivitetit të nismës sonë, duke theksuar se kjo ishte hera e parë që i bashkohet një kauze të tillë për Fishtën. Sipas tij vendosmëria, saktësia dhe qëllimi i pastër i kësaj nisme studentore e bënë atë të dojë të japë mbështetjen e tij.
Ne falenderojmë UAMD, z. Lekë Sokoli dhe z. Tonin Çobani për mbështetjen dhe i ftojmë edhe të tjerët të na bashkohen.