Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë SHL Hëna e Plotë Bedër, organizoi Workshop-in me temë: “Konvergjenca e medias shqiptare, diskutim mbi etikën dhe besueshmërinë”.
Diskutantët në këtë workshop ishin përfaqësues të ndryshëm si nga mediat tradicionale e ato të reja, po ashtu edhe specialistë dhe studiues të fushës.
Në fjalën e tij të çeljes, Dr.Ramadan Çipuri vlerësoi nevojën për një rikoceptualizim të masmedias dhe audiencave, varësisht kjo kushteve me të cilat po operojnë si mjetet e komunikimit masiv, po ashtu edhe audiencat.
Me rëndësi ishin vlerësimet e bëra mbi aspektin e etikës në mediat e reja, ku Prof.Dr. Briseida Mema, z. Erlis Çela e z.Emirjon Senja diskutuan për nevojën e domosdoshme të implementimit të kodeve të etikës, të një legjislacioni që do të rregullonte këto media etj.
Kryeredaktori i agjencisë së lajmeve NOA, z.Edison Kurani diskutoi në lidhje me çështjen e përdorimit të burimeve të informacionit, rëndësisë së tyre dhe mënyrës se si ato po përdoren nga portalet informative. Sipas tij, kjo vijon të jetë një problematikë serioze.
Z.Olti Curri diskutoi mbi fenomenin e komunikimit anonim në mediat sociale .
Dr. Edlira Mali në referimin e saj diskutoi mbi metodat e përdorura nga kompanitë e ndryshme për tërheqjen e audiencave përmes rrjeteve sociale dhe mundësive të tjera që ofron interneti.
Dr.Arben Muka analizoi çështjen mbi përshtatjen e produktit radiofonik në kushtet e konvergjencës dhe zhvillimit të mediave të reja.
Me interes ishin edhe komentet e pjesëmarrësve të tjerë si z.Agim Baçi, znj.Diana Kalaja, znj.Suela Musta, Dr.Agron Tufa, etj.