Studentët e vitit të dytë në programin master shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, prezantuan fushatën sensibilizueze: “Një libër më shumë për Preshevën”. Nisma bëri bashkë personalitete të fushave të ndryshme, përfaqësues të botës akademike, të politikës, gazetarisë dhe shoqërisë civile.
I ftuari i nderit në këtë aktivitet, kryetari i Komunës së Preshevës, z.Shqiprim Arifi, ndau me të pranishmit lajmin e mirë se, më në fund po shkon drejt zgjidhjes problematika shumëvjeçare e mungesës së teksteve shqip për nxënësit në shkollat e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit. Drejtuesi më i rëndësishëm vendor në Luginën e Preshevës kërkoi më shumë vëmendje dhe angazhim nga Shqipëria për këtë rajon, duke e konsideruar nismën studentore për mbledhjen e librave dhe mjeteve mësimore si një simbol të veçantë.