Në vazhdimësinë e seminareve MarCom, studentët e Departamentit të Komunikimit, pranë Shkollës së Lartë Hëna e Plotë Beder, zhvilluan një bashkëbisedim interesant dhe të suksesshëm me z. Klodian Makashi, bashkëthemelues dhe CEO i agjensisë së Marketingut dhe Komunikimit Connext. Që në fillim të bisedës, z. Makashi theksoi se sot realiteti shqiptar është i pasuruar me raste të suksesshme të të bërit marketing, të cilat duhet të njihen dhe trajtohen edhe nga universitetet e studentët gjatë orëve të tyre të mësimit.
Biseda u orientua në përdorimin e mënyrave të reja dhe atraktive nga marketuesit për tërheqjen dhe angazhimin e audiencave, dhe u fokusua në raste konkrete të përdorura nga agjensia Connext, të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme. Në këtë kontekst, z. Makashi sqaroi deInovacioni/krijimtaria dhe profesionalizmi/përgjegjshmëria janë faktorët e suksesit në botën e sotme të marketingut mediatik.
Pyetjet e studentëve i dhanë mundësi folësit t’i informonte këta të fundit mbi projektet e afërta dhe të ardhshme të agjensisë duke diskutuar dhe trajtuar elementë të veçantë të tyre në funksion të komunikimit me konsumatorin, por edhe të plotësimit të kërkesave të klientëve të drejtpërdrejtë të agjensisë, bizneseve apo institucioneve të ndryshme. Në përfundim të takimit, u diskutuan mundësitë e angazhimit konkret të studentëve në projekte aktuale dhe të ardhshme pranë agjensisë Connext në formën e praktikave profesionale, aq të rëndësishme dhe të frytshme për formimin e studentëve.