Themeluesja dhe menaxherja e portalit Mundësi.al, Znj. Edona Daçi ishte e ftuar në kuadër të ciklit të seminareve "MarCom". Në takimin me studentët e Shkencave të Komunikimit, Znj. Daçi foli në lidhje me rolin e teknologjisë në shpërndarjen e informacionit duke marrë si shembulll edhe portalin mundësi.al. Gjatë seminarit studentët e “Bedër” u njohën me disa nga të dhënat e fundit dhe kuriozitete në lidhje me shpërndarjen e informacionit në rrjetet sociale.
Më tej, Znj. Daçi inkurajoi studentët të jenë kërkues dhe të hapur ndaj praktikave të reja të studimit në fushën e tyre, duke iu referuar eksperiencës së saj, sfidat që në hapat e parë të sipërmarrjes, si dhe mundësitë që duhen shfrytëzuar. Themeluesja e mundësi.al u paraqiti studentëve risitë që do të sjellë në treg portali, si dhe vuri theksin mbi aktivizimin e të rinjve në kërkimin e mundësive dhe shfrytëzimin e sa më shumë burimeve për të zbuluar aftësitë e tyre profesionale.
Në fund të seminarit studentët e Shkencave të Komunikimit kishin mundësinë që të pyesnin në lidhje me metodat e reja të shpërndarjes së informacionit dhe si të përqasen në tregun e punës.