Pse çrregullimi në informacion nuk ka të bëjë vetëm me Lajmet e Rreme, ose me atë që në gjuhën angleze quhet “Fake Neës”? Pse profesionistët e sotëm të komunikimit duhet të njohin llojet e tjera të ndotjes së informacionit? Cilat janë mënyrat si krijohen, prodhohen dhe shpërndahen këto lloj informacionesh? Çfarë ndryshimi ka mes çinformimit, dezinformimit dhe keqinformimit? Pse politika i fut në të njëjtën kategori me “Fake Neës”-in lajmet e rreme por edhe të vërtetat?
Të gjitha këto pyetje morën përgjigje në një trajnim nga Dr. Erlis Çela në Institutin Shqiptar të Medias, ku studentët e Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “BEDËR”, u njohën edhe me rreziqet që vijnë nga zhvillimi i teknologjisë dhe mediave sociale.
Përmes shembujve, të cilat u interpretuan në nëpërmjet koncepteve teorike, u diskutuan edhe mjetet e përhapjes së informacioneve të rreme pa qëllim dëmtimi (çinformimi), përhapja e informacioneve të rreme të organizuara qëllimisht për të dëmtuar (dezinformimi) dhe shpërndarja e informacioneve të rreme ose të vërteta që nuk duhen publikuar sepse cënojnë privatësinë dhe sekretin shtetëror (keqinformimi).
Videot false me përdorim shumë të mirë të teknologjisë dhe manipulimit, video jashtë kontekstit, përkthime të gabuara apo histori të trilluara, robotët fals të rrjetit, ndjekësit fals, troll-et dhe reklamat abuzuese qenë disa nga çështjet, te të cilat u ndal më gjatë gjatë këtij trajnimi.
Në fund të trajnimit një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i ISHM-së, Z. Remzi Lani, i cili solli rezultatet e një ankete të opinionit publik shqiptar lidhur me besueshmërinë e medias. Studimi i realizuar nga studuesi Rrapo Zguri, është fokusuar në terma të tillë të imazhit si niveli i përmbushjes së misionit publik nga ana e medias, niveli i lirisë, shkallas e pavarësisë nga politika dhe nga interest e biznesit, ndikimi në luftën kundër korrupsionit, ekspozimi i vetë medias ndaj korrupsionit, etj. Z. Lani u shpreh se nga rezultatet anketës vlen për tu përmendur fakti se publiku shqiptar ka një besim më të madh te medias sesa te klasa politike. Sipas tij ky është një fakt i rëndësishëm, por nga ana tjetër duhet të marrë në konsideratë edhe fakti që ky besim po vjen në rënie.