

Rikthehet cikli i seminareve "Studenti dhe karriera", organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë K.U. Bedër.
E ftuar në këtë seminar të parë të zhvilluar në ambjentet e muzeut të medias në institucionin tonë, ishte gazetarja e njohur e radios DW Deutsche Welle znj. Mimoza Çika Kelmendi, e shoqëruar nga z.Aleksandër Çipa kryetar i Unionit të Gazetarëve shqiptarë si dhe nga përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Edukimit z.Erlis Çela.
Përballë studentëve të këtij departamenti znj. Mimoza referoi rreth temës: "Media publike, modelet europiane dhe kriza shqiptare" duke sjellë përvojën e saj disa vjeçare në tregun mediatik ndërkombëtar e duke e kthyer këtë seminar në një bashkëbisedim interaktiv me pyetjet e shumta nga studentët.
Seminaret "Studenti dhe karriera" janë një traditë e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, të cilat shtrihen përgjatë gjithë vitit, duke i bërë më të prekshme ato që studentët mësojnë në auditoret e universitetit, përmes përvojave nga profesionistë të fushës së medias dhe komunikimit.