Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër” në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ), organizuan seminarin e hapur me temë “Visual storytelling and filmography” (Rrëfimet vizuale dhe filmografia).
I ftuar në seminar ishte fotografi dhe producenti amerikan, Nathaniel Hansen, i cili foli me studentët rreth rëndësisë që ka vizualiteti në fushën e komunikimit dhe jo vetëm. Duke shpjeguar se si mund të rrëfehet një histori nëpërmjet disa ose një fotoje të vetme, Hansen theksoi rolin luan fotoja dhe videoja në zhvillimin e gazetarisë, dhe kjo e fundit në zhvillimin e demokracive.
Ai ndau me studentët perspektivën dhe eksperiencën e tij, si dhe disa nga shkrepjet e tij profesionale dhe historinë, që tregohej përmes tyre. Më tej, z. Hansen prezantoi disa nga fotografitë e shkrepura nga fotografët amerikanë ndër vite, të cilat kanë ndikuar opinionin publik dhe kanë ndryshuar mendësinë e shoqërisë. Historitë, që ishin treguar përmes fotove lidheshin me varfërinë, fëmijët dhe periudhën ndërmjet dy Luftërave Botërore. Duke analizuar fuqinë komunikuese të këtyre fotografive, z. Hansen trajtoi aspektet teknike mbi perspektivën, format e vendosura, kokrizimin si dhe potencialin që këto fotografi kanë për të trazuar politikën dhe gjendjet sociale.
Z. Hansen pyeti studentët e pranishëm se pse kishin zgjedhur të studionin Gazetari dhe Komunikim. Në vijim të përgjigjeve të larmishme të tyre, ai u shpreh “Historitë që zgjedhim të tregojmë do t’i japin formë të ardhmes tonë”.
Në fund të diskutimit, studentët drejtuan pyetje rreth zbatimit të etikës së fotoreporterëve, mënyrave sesi mund të tregojnë histori përmes shkrepjes së fotove dhe rreth eksperiencave profesionale të z. Hansen.
Nathaniel Hansen është producent i nominuar për Emmy dhe fitues i çmimeve Peabody. Po ashtu, ai është regjisor, kineast, montazhier dhe trajnues. Filmat i tij dokumentar dhe puna komerciale e ka çuar atë në mbarë botën, duke drejtuar projekte filmike dokumentare dhe mbi marka të ndryshme në Japoni, Kinë, Indi, Venezuelë, Brazil, Afrikën e Jugut, Angli, Suedi, Gjermani, Shqipëri, Zelandë e Re dhe pothuajse në të 50 shtetet amerikane.