Departamenti i Shkencave të Komunikimit organizoi seminarin me temë “E ardhmja e organizimit të eventeve në realitetin e ri”. E ftuar e këtij eventi ishte Suela Tuci, drejtuese operative në agjencinë “Iceberg Communication”.
Suela ndau me studentët eksperiencën e saj të larmishme 15 vjeçare në sektorin e organizimit dhe menaxhimit të eventeve
Gjatë diskutimit, Suela bëri një krahasim të eventeve në periudhën para dhe gjatë pandemisë. Ajo tha se eventet janë emocionuese, kanë fuqi komunikimi dhe janë katalizator për bizneset. Megjithatë situata e shkaktuar prej Covid-19 bëri që të largoheshim nga sallat dhe vendet fizike, duke u zhvendosur në platformat online si Zoom, Google Meeting, etj. Elementet kreative ndryshuan, por sollën një qasje të re ndaj organizimit të eventeve.
Falë teknologjisë, të ftuarit nuk kanë kufizime gjeografike apo kohore, por mund të jenë të pranishëm në çdo organizim nga shtëpia e tyre. Nga ana tjetër, vështirësitë teknike dhe siguria kibernetike përbëjnë sfidë për organizimin e eventeve online.
Para periudhës së pandemisë, ngjarjet online ishin të rralla dhe të jashtëzakonshme, sidomos për tregun shqiptar. Tashmë organizimet online po kthehen në trend, pasi Covid-19 e ndryshoi përgjithmonë industrinë e eventeve.
“Eventet do të jenë hibride, po ecim me ritme të shpejta drejt digjitalizimit të tyre”, tha Suela.
Në takim ishin të ftuar studentë dhe lektorë të departamentit të komunikimit. Diskutimi rreth të ardhmes së eventeve ishte dinamik, studentët drejtuan pyetje lidhur me organizimin e eventeve dhe sfidave, që hasin të punësuarit në këtë sektor.
Në fund, të gjithë ranë dakord se në kohë krizash lindin mundësi të reja për të sjellë qasje inovative dhe për të zhvilluar industrinë e eventeve, e cila nuk është konsoliduar ende në Shqipëri.