Në kuadër të ciklit të leksioneve “Marketing Communications”, z. Gerti Boshnjaku, themelues dhe administrator i "New Media Communications" ishte i ftuar në njëleksion të hapur me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, ku referoi mbi sfidat e komunikimit në marketing.
Biseda me studentët u fokusua në përqasjen e marketingut në ditët e sotme, njohjen, komunikimin dhe përfshirjen me konsumatorin. Duke u bazuar jo thjeshtë tek dhënia e informacionit, por tek eksperiencat dhe përvojat e konsumatorit me produktet dhe shërbimet e ndryshme nëpërmjet kreativitetit dhe inovacionit.
Gjatë dialogut me studentët u qartësua fakti se terminologjia e re e përdorur në komunikimet marketing sot është rrjedhojë e ndryshimit të ndëraktivitetit dhe të stilit të jetës së konsumatorit drejt Digjitales. Kjo gjë i bën marketuesit të përpiqen ta ndryshojnë dhe përshtasin mënyrën e tyre të komunikimit me klientët e tyre dhe konsumatorin final.
Gjatë prezantimit të tij z. Boshnjaku bëri edhe një pasqyrë të punës së kompanisë New Media Communications të cilën ai drejton dhe vuri theksin në nevojën dhe përfitimet e dyanshme në bashkëpunimin e biznesit me universitetet dhe të rinjtë. Në këtë kuadër, ai ftoi studentët të aplikojnë për praktika mësimore, të cilat nëse do të jenë të suksesshme, mund të finalizohen edhe me punësim të tyre.
Një element motivues për studentët ishte edhe nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në nisma të cilat do t’i orientojnë drejt iniciativave Start-Up, shume të nevojshme për të ardhmen e tyre profesionale.