Në kuadër të ciklit të seminareve MarCom, ditën e mërkurë, ishte e ftuar për të bashkëbiseduar me studentët znj. Gladiola Dona, e cila prezantoi temën “Marketingu H2H”.
Gladiola është themeluese e Akademisë së Mikpritjes dhe Turizmit (HAT), e cila operon prej 6 vitesh në Shqipëri dhe Kosovë në fushën e përgatitjes së menaxherëve të hoteleve nëpërmjet trajnimeve dhe kurseve profesionale të certifikuara, si dhe konsulencave në kompani duke kontribuar në përmirësimin e performancës dhe shërbimit të klientit në këtë industri që ka aq shumë nevojë.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi me studentët duke ndarë eksperienca të ndërsjella dhe duke trajtuar nevojën e përshtatjes së marketingut ndaj karakteristikave të segmenteve të targetuara në bazë të gjeneratave që ato përfaqësojnë.
Gladiola e trajtoi Marketingun H2H si qasje e përqendruar tek marrëdhënia njerëzore, afatgjatë, e cila nga njera anë i jep rëndësi dhe vëmendje klientit, dhe nga ana tjetër, i jep një imazh, një zë, një fytyrë klientit duke krijuar besim dhe ndërtuar marrëdhënie afatgjatë me klientët.
Takimi ishte mjaft interaktiv duke përfshirë pyetje-përgjigje dhe diskutime nga të dyja palët gjatë të cilave u theksua nevoja imediate që ka industria e turizmit dhe e mikpritjes në Shqipëri për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, përgatitjen e stafit si menaxherial, ashtu edhe atë operativ në hotele, restorante apo resorte duke qenë se turizmi është një nga sektorët me peshë të konsiderueshme në strukturën ekonomike të vendit dhe aktualisht nga vetë operatorët e fushës i kushtohet shumë pak vëmendje dhe peshë në buxhetet apo strategjitë e kompanive vendase përgatitjes dhe trajnimit të stafit.