Studentët e nismës studentore “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore” organizuan ditën e enjte mbrëmjen poetike kushtuar veprës së Gjergj Fishtës, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, pedagogëve e studentëve të shumtë.
Në hapje të aktivitetit, drejtuesja e kësaj nisme, studentja Boralda Haxhillari theksoi ndjeshmërinë e temave të tilla dhe bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj kulturës së trashëguar nga njerëzit e mëdhenj të kombit, si Fishta.
Shkrimtari dhe poeti i njohur Agron Tufa, i cili ishte edhe moderator i aktivitetit, tha se qëllimi i këtij aktivitetit është ripërtëritja e marrëdhënies së lexuesit e qytetarit me Fishtën. Ai vlerësoi studentët që sjellin në vëmendje një figurë që fisnikëron shoqërinë shqiptare, me gjithë kontributin e tij në fusha të ndryshme. “Kjo nismë vjen në momentin e duhur. Shtëpia muze që studentët synojnë të ndërtojnë është një mundësi edukative, njohëse, e krenimit dhe fisnikërimit të brezave të ardhshëm”, - u shpreh Tufa.
Aktiviteti përcolli një imazh të veprës dhe jetës së Fishtës si poet e atdhetar, i cili me veprën e tij mbetet aktual në çdo kohë.
“Fishta i thur vargje shqiptarit me virtytet më të mira dhe me kritika therëse. Ai shpjegon shqiptarin siç duhet të jetë, siç do të donte Fishta të ishte dhe jo ashtu siç është”, - shpjegoi Agron Tufa.
Ndërsa shkrimtarja Anrila Spahija (Ana Kove) bëri një panoramë të mungesës së njohjes së Fishtës ndër breza, për shkak të ndalimit dhe censurës që ka jetuar vepra e tij. Ajo shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar studentët dhe nismën “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore” për të çuar në vend qëllimin e tyre fisnik.
“Kur dëgjoj apo lexoj Fishtën, përballem me një fjalor dhe nivel të atillë të përdorimit të gjuhës sa i them vetes ‘pse shkruan’”, - shprehu Ana Kove vlerësimin e saj për poetikën e Fishtës.
Aktiviteti u pasurua me recitime nga studentët të cilët i emocionuan të pranishmit dhe zgjuan tek ata ndjenjën e të bukurës dhe kureshtjes për të njohur më tepër. I ardhur nga Shkodra posaçësisht për këtë aktivitet, gazetari dhe poeti Erisad Lugjaj interpretoi satirën “Gomari i Babatasit” që shkaktoi sa të qeshura aq edhe kritika të prekshme në realitetin shqiptar.
Ndërsa studentja Melisa Harusha solli poezinë “Nji lule vjeshtet” në një recitim plot ndjenjë që përloti të pranishmit. Po ashtu studentet Arjola Buzi dhe Luljeta Halimi sollën përkatësisht poezitë “Shqypnia” dhe “Gjuha Shqype”, plot mesazhe dhe vlera artistike.
Aktiviteti përfundoi duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm dhe duke bashkuar më shumë zëra në përmbushjen e qëllimit final: përjetësimit të veprës së Gjergj Fishtës përmes një muzeu në vendin ku ai lindi.