Nisma studentore e studentwve tw masterit nw shkenca komunikimi pranw Kolegjit Universitar Bedwr, “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore” organizoi tryezën e rrumbullakët kushtuar ndërtimit të një muzeu për Gjergj Fishtën.
Në aktivitetin e zhvilluar në Bibliotekën e Lezhës studentët arritën të bashkojnë të gjitha palët e përfshira në këtë çështje për t’i dhënë një zgjidhje ngërçit të krijuar prej vitesh. Mes të pranishmëve ishin zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni, zëvendësministri i Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, studiuesi Tonin Çobani, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të komuniteteve fetare, shkrimtarë, artistë, biznesmenë, arkitektë e dashamirës të veprës së Fishtës.
Takimi i shërbeu arritjes së dakordësisë mes pushtetit qendror dhe atij vendor për të punuar së bashku për realizimin e muzeut të kërkuar me këmbëngulje nga studentët e nismës dhe të ftuarit.
Zëvendësministri Çuni dhe drejtori i Kulturës pranë Bashkisë së Lezhës, Ardian Laçi, në emër të institucioneve përkatëse siguruan të pranishmit se do të nisë puna e menjëhershme në mënyrë të përshpejtuar që së shpejti të ketë një projekt konkret përmes të cilit të gjithë brezat të njihen me vlerat që Fishta i ka shtuar kombit shqiptar.
Gjatë bisedës u diskutuan mënyrat se si mund të ndërtohet një objekt muzeal e kulturor, i cili do t’i japë zhvillim zonës, turizmit kulturor por mbi të gjitha do të shërbejë si një “shkollë” për të mësuar prej veprës letrare e atdhetare të shqiptarit të parë të nominuar për Nobel. Studiuesi fishtolog Tonin Çobani propozoi që ky objekt t’i përngjajë një lloj “Instituti të Fishtës”.
Në lidhje me vendndodhjen e këtij muzeu studentët dhe të ftuarit këmbëngulën njëzëri që ky objekt të ndërtohet në vendin ku lindi dhe jetoi Gjergj Fishta deri në moshën 6-vjeçare dhe ku sot ndodhen rrënojat e shtëpisë së tij, në dalje të fshatit Fishtë drejt Troshanit.
Të ftuarit vlerësuan gjithashtu vullnetin e studentëve të kësaj nisme që bënë të mundur bashkimin e palëve për një qëllim të tillë fisnik.