Konkursi i Debatit ka ardhur tashmë në fazën finale të tij duke pasur edhe një grup finalist. “Pro dhe Kundër integrimit në Bashkimin Europian” ishte tema e gjysmë-finales së zhvilluar sot mes grupit të studentëve të Departamentit të Drejtësisë të përbërë nga Elvis Gjeci, Ornela Bego dhe Megi Xhaferaj dhe grupit të studentëve të Departamentit të Shkencave të Komunikimit të përbërë nga Alban Tufa, Artjola Can dhe Enkeleda Bodini.
Grupit të parë i kishte rënë më short që të mbronte tezën “Pro” integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke theksuar se vendi ynë ka nevojë të jetë pjesë e këtij unioni për shkaqe ekonomike, stabiliteti politik por edhe për shkaqe gjeograstrategjike që lidhen me orientimin tonë drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore.
Grupi tjetër, të cilit i kishtë rënë me short që të mbronte tezën “Kundër” theksoi se Shqipëria nuk është ende gati për të qenë pjesë e këtij unioni duke marrë si shembull sektorin ekonomik, ku sipas tyre ndërmarrjet shqiptare do të ishin të falimentuara nëse do të konkurronin në kushte të njëjta me ato të vendeve të BE-së.
Në përfundim, juria vendosi që në finale të kalojë grupi i studentëve të Departamentit të Drejtësisë duke pritur kështu edhe finalistin tjetër që do të dalë nga gjysmë-finalja që do të zhvillohet ditën e hënë, datë 13 qershor 2016.