Studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër, organizuan koncertin e bamirësisë me titull "Më shumë të ngjashëm se të ndryshëm".
Në kuadër të ditës botërore të Sindromës Down, ky koncert mblodhi së bashku në ambientet e Bedër, zëra të rinj e të vjetër të skenës dhe ekranit shqiptar, me qëllim për të grumbulluar sa më shumë të ardhura nga shitja e biletave, të cilat do të shkojnë si fond në ndihmë të fëmijëve pranë fondacionit “Down Syndrome Albania”.
Ndër artistët që ju bashkuan nismës së studentëve të komunikimit përmendim: z. Dritan Boriçi, znj. Myfarete Laze, z. Erlind Zeraliu, znj. Elona Zeraliu, z. Kristian Koroveshi, z. Gjergji Doka, znj. Vilma Hodo si dhe studentët Elton Cara, Hafsa Desatani dhe Sefer Vrana.
Nën moderimin e studentëve iniciatorë të këtij koncerti Kristi Mukollari dhe Ermal Qorri programi u hap me një video informuese ku në fokus ishin fëmijët me sindromën Down, problematikat e përditshme të tyre si dhe nevojat bazë të tyre.
Më tej Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Ramadan Çipuri përshëndeti programin duke përgëzuar studentët për këtë iniciativë dhe të gjithë ata që kontribuan në aspekte të ndryshme.
Koncerti vijoi me interpretimin e poezive, pantomimeve dhe këngëve të shumta nga artistët e lartëpërmendur.
Të pranishëm në aktivitet ishin një numër i konsiderueshëm studentësh të institucionit si dhe të universiteteve të tjera publike e private në vendin tonë, akademikë si dhe prindër e të ftuar.
Të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave si dhe kontributi direkt i pjesëmarrësve në aktivitet do të dorëzohen gjatë ditëve në vijim pranë Fondacionit “Down Syndrome Albania” nga vetë studentët.