Në kuadër të seminareve “Studenti dhe profesioni”, Departamenti i Shkencave të Komunikimit kishte të ftuar kryeredaktoren e emisionit “Opinion” në Tv-Klan, Desada Metaj. Gjatë bashkëbisedimit me studentët znj. Metaj ndau eksperiencat e saj të raportimit në terren si dhe sfidat e profesionit të gazetarit. Duke u nisur edhe nga kurioziteti i studentëve, kryeredaktorja e “Opinion” u tregoi një ditë të zakonshme të organizimit të emisionit politik shumë të ndjekur nga shqiptarët.
Duke u ndalur të pasioni që ka një gazetar për profesionin e tij dhe momentet e vështira gjatë punës në terren, drejtuesja e redaksisë së emisionit “Opinion”, ndau me studentët momentet e përjetuara gjatë raportimit nga Beogradi në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Studentët u interesuan për tema që kanë të bëjnë me marrëdhënien e gazetarëve me politikën si dhe sfidat që ka gazetaria e ditëve të sotme në raport me zhvillimet teknologjike.