I ftuari i dytë për këtë vit akademik në ciklin e leksioneve të hapura ''Studenti dhe Profesioni'' që organizohet nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) ishte gazetari dhe moderatori Arsen Hoxha. Tema mbi të cilën gazetari i televizionit “Vizion +” diskutoi me studentët e komunikimit ishte: “Media publike vs media private”.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Hoxha theksoi rëndësinë e gazetarisë si një mision më tepër sesa profesion. Ai u ndal edhe tek arsyet e largimit nga Televizioni Publik Shqiptar dhe nisjen e bashkëpunimit të ri që tashmë ka me ''Vizion +''. ''Media publike ka nevojë të ndryshohet dhe të reformohet. TVSH-ja sidomos ka nevojë për një reformim të mirë me njerëz''.
Z. Hoxha nuk ngurroi të pranojë faktin se është e vështirë të punosh me njerëz që udhëhiqen nga militantizmi dhe në një punë që nuk të stimulon financiarisht, duke përmendur shembuj nga përvoja e tij profesionale. ''Në lajme nuk duhet te mbizotërojë vetëm politika, ndërkaq që shpenzohen shumë para për studio, bëhen shumë investime etj, të cilat në fund nuk janë të ndonjë cilësie të lartë”.
Gazetari Arsen Hoxha tha se një tjetër problem i medias shqiptare, si private ashtu edhe asaj publike, është matja e audiencës. ''Në Shqipëri mungojnë matjet e audiencës. Disa mendojnë se nuk shikohet TVSH si media publike, por ne këtë nuk mund ta dimë. Nuk mund ta dimë që TVSH-ja nuk ndiqet në rrethe”.
Interesimit të studentëve lidhur me karrierën në televizionet shqiptare, z. Hoxha iu përgjigj se nëse je këmbëngulës dhe beson tek gazetaria mund t’ia dalësh të bësh gjëra shumë të mira.
Ai zbuloi për studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit faktin që së shpejti në “Vizion +” do të mund ta shohin jo vetëm në rolin e spikerit të lajmeve, por edhe si drejtues të një emisioni të ri politik, detajet e të cilit janë në diskutim e sipër.
Cikli i leksioneve të hapura “Studenti dhe Profesioni” do të vazhdojë përgjatë ditëve në vijim me të ftuar të tjerë nga fusha e medias dhe marrëdhënieve publike.