Në mjediset e Shkollës së Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) u organizua trajnimi i studentëve të shkencave të komunikimit mbi mënyrat e raportimit mbi çështjet sociale. Trajnimi u organizua si një bashkëpunim i departamentit të Shkencave të Komunikimit pranë Bedër, me Shoqatën Infinit +.
Trajnues ishin Doc.Dr. Ramadan Çipuri, përgjegjës i departamentit të Shkencave të Komunikimit, znj. Karolina Risto, drejtore e Informacionit në INTV dhe Erida Gjermeni, kryeredaktore në INTV.
Duke sjellë eksperiencat dhe sfidat e gazetarëve në redaksi, znj.Risto dhe znj.Gjermeni theksuan se dilemat e gazetarit në raportimin mbi çështjet sociale janë pothuajse të përditshme, pasi ata vihen përballë presioneve të ndryshme, si interesi publik, anonimati, e drejta e autorit, fëmijët në nevojë, personat me aftësi të kufizuara etj.
Nga ana tjetër, Dr.Çipuri bëri një analizë të arsyeve që çojnë gazetarët në dilema etike, si edhe në modelin menaxherial mbi të cilin bazohet funksionimi i medias shqiptare. Sipas tij, është ky model ai i cili nxit edhe problemet e mëdha etike me të cilat përballet media shqiptare.
Me interes ishte aplikimi i intervistave rreth problemeve sociale dhe kthimi i tyre në lajm nga studentët e pranishëm.