Në kuadër të ditëve të orientimit, studentët e vitit të parë në programin “Multimedia dhe Dizajn Grafik”, vizituan ditën e sotme qendrën teknologjike “Tumo Tirana”.
Studentët u njohën me ambientet e qendrës, nën guidën e znj. Imelda Zeqo, trajnere në “Tumo Tirana”. Znj. Zeqo shpjegoi për studentët disiplinat e ndryshme në të cilat operohej duke përmendur këtu: animacionin, dizajnin grafik, programimin, modelimin 3D, robotikën etj.
Eksperienca në “Tumo Tirana” për pjesëmarrësit niste me fazën e parë e cila njihej ndryshe edhe si faza e “self learning”, ku ata punonin në mënyrë të pavarur projektet e tyre me ndihmën e tutorialeve të ndryshme. Më pas, profesorë të fushave përkatëse, zhvillonin workshope me secilin grup, workshope këto që konsistonin në realizimin e një projekti final. Çdo anëtar i “Tumo Tirana”, në përfundim të kësaj eksperience, pajisej me portofolin e vet, i cili përbënte një element shumë të rëndësishëm për secilin prej tyre.
“Profesione të tilla si Multimedia dhe Dizajn Grafik që ju keni zgjedhur, janë profesione që nuk vdesin, profesione që kanë treg pune”, e përmbylli bisedën e saj znj. Zeqo.