Workshop: Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës.

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë Bedër, në bashkëpunim me Unionin Shqiptar të Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias. Organizoi më datë 03.05.2013 Workshopin me temë “Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës”.
 
Tema tërhoqi vëmendjen e përfaqësueve të 31 mediumeve të ndryshme, lokale, kombëtare. Në takim referuan Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave te Komunikimit në UHPB, Z.Ramadan Çipuri, Ambasadorja e Francës në Tiranë Znj. Christine Moro, Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik z. Mark Marku, Kryetari i Unionit Shqiptar të Gazetarëve Z.Aleksandër Çipa, Kryetari i rrjetit të televizioneve lokale Z. Edmon Isaku etj.
 
Në fjalën e tij Z.Çipuri u fokusua në situatën aktuale me të cilën mediat lokale po përballen. Sipas tij, mediat në tërësi po përballen me realitetin e ri teknologjik, ku interneti po kthehet në një platformë për të gjitha ato. Nga ana tjetër, Znj. Christine Moro, Ambasadore e Francës, pasi vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti në një ditë kaq të rëndësishme për lirinë e shtypit, bëri një pasqyrim mbi realitetin e lirisë së medias në botë, problematikat që hasen më shpesh nga gazetarët duke i ilustruar me shembuj nga tregu mediatik francez. Znj. Moro u ndal më pas në çështjet që lidhen me etikën e medias si një element tepër i rëndësishëm.Ndërkohë kryetari i Unionit të Gazetarëve shqiptarë , Z. Aleksandër Çipa u ndal më shumë në nevojën e respektimit të normave të etikës dhe deontologjisë nga ana e mediave shqiptare. 
 
Më pas të pranishmit firmosën memorandumin e përgatitur nga Unioni i Gazetarëve. Në memorandum vihet theksi në domosdoshmërinë e rithemelimit të një ndërgjegjeje të munguar etike.