Gazetari i njohur Sokol Balla ishte i ftuari i radhës në ciklin e leksioneve të hapura “Studenti dhe Profesioni”, organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër). Në bashkëbisedimin me studentët e komunikimit z. Balla ndau eksperiencën e tij në fushën e gazetarisë, si dhe bisedoi për zhvillimet më të fundit në vend.
Pyetjes se si ai e shikon Kodin e Etikës që u miratua para pak ditësh nga Këshilli i Ministrave, ai iu përgjigj se duhet parë në përgjithësi, dhe jo vetëm pika në të cilën rregullohen marrëdhëniet me median. “Përgjatë tetë viteve është vënë re një indiferencë nga ana e qeverisë në lidhje me pyetjet e gazetarëve. Që të realizohet një mënyrë e mirë informimi duhet të ekzistojë gjithashtu dhe një mënyrë korrekte komunikimi. Megjithatë, qeveria e re është në provë dhe në pritje për t’u parë”, theksoi gazetari Sokol Balla.
Ai tregoi se ajo çka vlerëson më shumë në debatet politike është thelbi dhe jo personazhi. “Në këtë format përpiqem të realizoj edhe emisionin e tim, pasi debatet politike kanë vlerë publike dhe nuk janë pronë e televizioneve private. Publiku duhet të kuptojë psenë e problemeve aktuale”.Pyetjes së studentëve se nëse do të vazhdojë të jetë kritik me qeverinë, z. Balla iu përgjigj prerë: “Po, do të vazhdoj të jem kritik ndaj qeverisë dhe jo ‘opozite’, siç përdoret ky term. Nëse qeveria ka marrëdhënie korrekte me median çka nënkupton kritikë – reagim, atëherë nuk ka pse të ekzistojë media hakmarrëse. Kur media nuk është thjesht media atëherë shfaqen probleme”.
Në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, ai u shpreh skeptik. “Më shumë se tre ligjet, problemi shfaqet në tërësi më i ndërlikuar. Koha më e favorshme për një përgjigje pozitive është muaji mars”.
Megjithatë ai vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë deri tani, si për shembull realizimin e zgjedhjeve, që sipas tij ndoshta janë më të mirat, dorëheqjen e kryeministrit Berisha, etj. Ndërkohë, cikli i leksioneve të hapura “Studenti dhe Profesioni” që organizohet nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) do të vazhdojë edhe përgjatë javëve në vazhdim.