Studentët e vitit të parë në programin Master në Shkenca Komunikim zhvilluan debatin publik me temë: “Media online, gazetari apo biznes?” Debati u organizua në kuadër të lëndës “Marketingu Politik Mjetet, Teknikat dhe Strategjitë”, duke u nisur nga metodat bashkëkohore të realizimit të lëndëve mësimore, si metoda jo-formale të të mësuarit, aktivizimi, pavarësie të studentëve, si dhe të mësuarit duke u praktikuar.
Nisur nga projekti i lëndës, klasa u nda në dy grupe me nga 11 studentë, të cilët kanë punuar së bashku për të siguruar argumente të ndryshme në mbrojtje të tezës së tyre. Ndërkohë, katër nga përfaqësuesit e dy grupeve të pranishme diskutuan në lidhje me temën e debatit. Nën moderimin e studentes Donisa Perseku, grupi i parë me anëtarë Jani Sinjarin, Ervin Muçën, Sefer Çelën dhe Lorena Sançon, sollën argumentet pro medias online si gazetari e ditës së sotme. Ndërsa grupi i dytë me anëtarë Arjola Hajdinin, Anjeza Nokan, Qemal Shehun dhe Ermion Jahon mbrojtën idenë se mediat online janë shndërruar në biznes, të prirura të publikojnë lajme që klikohen më shumë, duke anashkaluar cilësinë e lajmit për të gjeneruar të ardhura.
Juria e përbërë nga Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Doc. Dr. Agron Tufa, si dhe lektorja e lëndës Edlira Mali, vlerësuan mbi forcën e argumentit, prezantimit, kundër-argumentit, referencave dhe performancës së përgjithshme, duke shpallur fitues grupin që mbronte tezën se mediat online janë gazetari. Aktiviteti u zhvillua në ambjentin e bibliotekës.