Zhvillohet konferenca II studentore: “Komunikimi, media dhe përgjegjësia sociale”

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi konferencën e dytë studentore me temë: “Komunikimi, media dhe përgjegjësia sociale”. Në këtë konferencë u prezantuan 18 punime shkencore dhe reportazhe të realizuara nga studentët e vitit të tretë të nivelit bachelor. 
 
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të zv-përgjegjësit të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, njëkohësisht edhe kryetari i kësaj konference, dokt. Ramadan Çipuri, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe studentët për punimet e realizuara. Gjatë fjalës së tij, ai vuri në pah rëndësinë që paraqet kërkimi shkencor i vetë studentëve të shkencave të komunikimit, krahas formimit teorik që ata marrin në auditor, si dhe praktikave profesionale që zhvillojnë nëpër media të ndryshme. 
 
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana. Para studentëve të pranishëm në sallën e konferencave, Dr. Gjana vlerësoi punën e deritanishme të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, i cili, sipas tij, ka qenë mjaft aktiv gjatë këtyre tre viteve që prej hapjes së Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër).
 
Prof. asoc. Dr. Rahim Ombashi, pedagog në këtë departament, kërkimet shkencore të studentëve i cilësoi si një vlerë të shtuar për arritjet e deritanishme në këtë institucion të arsimit të lartë në Shqipëri. Ai vuri theksin tek rëndësia që përmban kërkimi i studentëve, si një mënyrë që ndikon drejtpërsëdrejti në formimin intelektual të tyre dhe kontributin në shoqëri. 
 
Më pas konferenca vazhdoi me prezantimet e studentëve, të cilat u ndanë në tre sesione. Në sesionin e parë, të titulluar: “Etika dhe përgjegjësia sociale në gazetari”, referuan gjashtë studentë. Në sesionin e dytë, të titulluar: “Ekrani, pushteti dhe ndikimi i tij në jetën sociale”, prezantuan punimet edhe gjashtë studentë të tjerë. Sesioni i tretë ishte pak më i veçantë, me titullin: “Realiteti social nëpërmjet zhanrit të reportazhit”, studentët e tjerë prezantuan reportazhet e tyre të realizuar me të tema të ndryshme. 
 
Në fund të konferencës u shpërndanë edhe certifikatat për studentët referues.